Shkëmbi dyshohet se nxorri sekretin hetimor

Artan Shkëmbi, një prej drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, zv/drejtori i Operacionit Forca e Ligjit, është pezulluar nga detyra. Shkëmbi dyshohet se ka nxjerrë sekretin hetimor dhe ka marrë pjesë në afera korrupsioni.

SPAK prej muajsh po e hetonte Artan Shkëmbin, pas disa informacioneve që kanë ardhur nga ndërkombëtarët. Nga hetimet ka rezultuar se numri 2 i OFL ka bashkëpunuar me disa persona të cilësuar si pjesë e grupeve kriminale në Shqipëri, duke nxjerrë informacione.

Për këtë shkak Gjykata e Posaçme ka vendosur pezullimin e tij nga detyra, ndërkohë që Policia e Shtetit i ka komunikuar atij largimin e përkohshëm.

Opozita e konsideron këtë rast si një shembull konkret se Operacioni Forca e Ligjit është një fasadë e se institucionet që luftojnë krimin në Shqipëri janë vënë në lëvizje vetëm pas interesimit të partnerëve ndërkombëtarë.

“Pak javë më parë, kreu i OFL-së e kaloi me sukses vetingun, duke dëshmuar se Ministria e Brendshme, shërbimi informativ dhe strukturat e tjera, në të vërtetë, nuk funksionojnë. Ato janë fasada e pushtetit që, nga një anë, bën show me të ashtuquajturën luftë kundër krimit, nga ana tjetër paguhet nga krimi.”

Më herët Artan Shkëmbi ka kaluar vetingun në polici, ndërsa tani do përballet me akuzat e rënda të SPAK.

Tv Klan