Edhe sot kioskat në qendër të Tiranës nuk u lëvizën. Në ditët e fundit të ’98 Policia Ndërtimore la në mes operacionin antikioskë për t’a rinisur atë në ditët e para të këtij viti. Sipas radhës së caktuar nga Policia Ndërtimore, do të jenë kioskat rreth Muzeut Kombëtar, objektivi i ardhshëm i vinçave dhe fadromave të tyre.

Sipas drejtuesve të Policisë Ndërtimore ata u kanë dorëzuar disa ditë më parë ultimatumin për heqjen e kioskave, pronarëve të tyre. Heqja e kioskave është mbështetur edhe nga Pushteti Lokal. Operacioni i nisur me shumë zhurme përfundoi vetëm me heqjen e kioskave tek busti i ish- diktatorit Hoxha.

Sot pronarët e kioskave pas Muzeut kanë pritur me ankth zhurmën e fadromave, por ato nuk u duken. Nesër do të fillojë heqja e kioskave, pasi afati i ultimatumit mbaroi sot. Heqja e kioskave do të vazhdojë deri me 13 janar. Sipas Policisë Ndertimore të gjitha kioskat rreth Muzeut Historik, ato para Teatrit të Kukullave, si dhe kioskat e mbetura tek vendi ku ka qënë busti i Hoxhës, janë të gjitha pa leje./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj