Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka nxjerrë urdhër për pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë dhe shërbimeve të OASH-ve për trajtimin e kundërvajtjeve administrative, në kuadër të masave për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Ky urdhër është në fuqi për 2 javë. Policia e Shtetit sqaron se gjobat ndaj shoferët për shkeljet rrugore do të procedohen në mungesë të tyre.

Aktiviteti administrativ i OASH-ve për shqyrtimin e masave plotësuese dhe ato me gjobë do të vazhdojë të zhvillohet në mungesë të kundërvajtësve, duke shmangur praninë e tyre në zhvillimin e seancave verifikuese dhe të shqyrtimit të tyre. Vendimet e marra nga OASH do t’u dërgohen me postë të zakonshme kundërvajtësve dhe sapo të merret vendimi, do të pasqyrohet në portalin E-GJOBA.

Agjentët verifikues dhe patrullat e Policisë Rrugore, në çdo rast që konstatojnë shkelje rrugore që janë objekt shqyrtimi pranë OASH-ve, i transmetojnë kundërvajtësit detyrimin për mosparaqitjen në OASH dhe i kërkojnë, kundrejt miratimit të tij, një numër telefoni celular, të cilin e vendosin në rubrikën e adresës tek procesverbali i konstatimit të shkeljes në të gjitha kopjet.

OASH-ja respektive i dërgon në numrin e deklaruar nga qytetari në aplikacionin WhatsApp, vendimin në formatin PDF. Njëkohësisht, me procedurë të rregullt postare i dërgon kundërvajtësit, vendimin e firmosur dhe vulosur. Policia e Shtetit sqaron se në të gjitha rastet do të respektohen afatet e përcaktuara në Kodin Rrugor. /tvklan.al