Shkak përhapja e koronavirusit në shumë vende të botës

Turneu kualifikues i boksit në Londër u pezullua. Rreziku i koronavirusit solli vendimin e Task-Forcës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të ndaluar ndeshjet që të siguronin një vend në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Ruajtja e shëndetit të sportistëve, zyrtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë është një përparësi kryesore shkruhet në njoftim. Turneu kishte nisur më 14 Mars dhe ishin mbajtur një pjesë e sfidave pa praninë e spektatorëve.

Në këtë garë Shqipëria ishte me dy boksierë, vëllezërit Krenar dhe Rexhildo Zeneli. Krenari u eliminua në përballjen  e dytë, ndërsa Rexhildo mbetet ende në garë, pasi nuk e ka zhvilluar sfidën e tij që mund t’i sigurojë pjesëmarrjen në Tokio 2020.

Task-Forca e ngritur për vlerësimin e situatës njoftoi se do të ndjekë me vëmendje zhvillimet, ndërsa në vendimin që ka fuqi deri në Maj janë edhe turnetë e tjerë në të gjithë botën.

Tv Klan