MAS: Përhapën panik, shkolla mbyllet vetëm me urdhër nga ministri

“Duke nisur nga e hëna e 24 Shkurtit shkolla “Udha e Shkronjave” njoftoi se do të qëndronte e mbyllur për të paktën 2 jave, nisur nga situata e koronavirusit, një vendim që sipas tyre u mor me një konsensus mes drejtorisë së shkollës, prindërve dhe specialistëve”.

Por një vendim i tillë i ka kushtuar shumë kësaj shkolle private. Ministria e Arsimit njoftoi se i ka hequr licencën, pasi e quan të kundërligjshëm vendimin e drejtorisë së saj për ta mbyllur shkollën si masë parandaluese ndaj koronavirusit. Sipas Ministres Besa Shahini, shkolla mund mbyllet jashtë planit të vitit shkollor vetëm me urdhër ministri.

Në faqen zyrtare të shkollës thuhet se vendimi nuk bazohej në ndonjë informacion konfidencial, por nga dyshimet që qarkullojnë. Kjo sipas tyre do t’i japë kohë prindërve të marrin masa edhe më të forta në rast nevojë, në një kohë që mësimi do të zhvillohet online.

Ministrja e Arsimit tha se drejtuesit kanë përhapur panik dhe duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë. Ndërsa drejtuesit e shkollës replikuan, duke sqaruar se kjo është vetëm një masë përkujdesjeje dhe se panik mund të përhapin edhe urdhrat për mbajtjen e maskave apo mbledhjet e task-forcave për situatën. 

Por ministria nuk i ka konsideruar këto sqarime. Ajo ka njoftuar se nxënësit e shkollës “Udha e Shkronjave” do të transferohen në një institucion tjetër arsimor.

Tv Klan