Do të furnizojë vendet pjesëtare me vaksina

Firmat farmaceutike Pfizer dhe BioNtech do të furnizojnë me vaksina nismën COVAX të OBSH-së që synon shpërndarje të barabartë dhe të drejtë të dozave në të gjithë botën. Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se këto firma kanë arritur marrëveshje me këtë nismë. Ky është një lajm i mirë edhe për Shqipërinë që si pjesë e nismës, synon të përshpejtojë e fushatën e imunizimit.

Përfshirja e këtyre firmave bën të mundur që COVAX të nisë shpërndarjen e dozave të vaksinës për 95 vendet pjesëtare, pasi deri tani është e vetmja që ka siguruar leje urgjente për procesin e vaksinimit në shumë vende të botës. Firma të tjera me të cilat COVAX ka pasur marrëveshje të mëhershme si AstraZeneca, Johnson & Johnson, apo Glaxosmithkline, ende nuk kanë zhvilluar një produkt me efektshmëri mbi 90%.

COVAX njoftoi se vendet e varfra dhe ato në zhvillim do të furnizohen të parat me doza të mjaftueshme për vaksinimin 27% të popullsisë, kryesisht shtresave të rrezikuara në muajt e parë të këtij viti. Deri tani është arritur marrëveshje për 1.8 miliardë doza.

Drejtuesja e OBSH-së për Afrikën paralajmëroi se pavarësisht përpjekjeve të strukturave të kësaj organizate, vendet e varfra mund të mbeten pas me procesin e vaksinimit për shkak se vendet e zhvilluara mund të përdorin fuqinë e tyre për të grumbulluar më tepër vaksina.

Tv Klan