Pfizer, efektive edhe ndaj mutacionit indian




Pfizer, efektive edhe ndaj mutacionit indian

17:05 23/06/2021

Shahin: Mund të duhet një dozë e tretë për rritjen e imunitetit

Vaksina e firmës Pfizer është efektive edhe ndaj mutacionit indian të koronavirusit. Ugur Shahin, drejtues i firmës gjermane që BioNTech, bashkëprodhuese e kësaj vaksine, tha në një mbledhje të bordit drejtues se deri më tani rezulton se imuniteti i krijuar nga injektimet e dozave të Pfizer ka shmangur rastet e rënda të infektimit me mutacionin “Delta” siç njihet ndryshe ky variant.

Megjithatë, ai bën thirrje për kujdes pasi varianti indian është ndër më të ashprit deri më tani dhe se ekspertët janë akoma duke zbuluar veçoritë e tij. Shahin nuk përjashton mundësinë që për të fuqizuar imunitetin që bie me kalimin e kohës, të nevojitet një dozë e tretë.

Megjithatë, ai sqaron se për momentin është ende e paqartë se kur dhe sa shpesh është i nevojshëm vaksinimi anti-Covid, kundër varianteve të reja.

Turqia është vendi i parë në botë që pritet të nisë që në Shtator injektimin e dozave të treta të vaksinës kineze Sinovac, pasi ekspertët e shohin të domosdoshëm forcimin e imunitetit në periudhën kur parashikohet, nisja e një tjetër vale përhapjeje.

Po ashtu edhe autoritetet britanike po shqyrtojnë mundësinë e aplikimit të dozave të treta për vaksinat që injektohen në Britaninë e Madhe, Pfizer e AstraZeneca.

Tv Klan





Të ngjashme