Pfizer konfirmon marrëveshjen me Kosovën për vaksina




Pfizer konfirmon marrëveshjen me Kosovën për vaksina

23:30 29/05/2021

Gjiganti farmaceutik Pfizer ka konfirmuar të shtunën për Radion Evropa e Lirë, marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për furnizim me vaksina kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

Megjithatë në përgjigje janë ofruar pak detaje mbi marrëveshjen.

Aty është thënë se sasia dhe periudha e dërgimit të vaksinave në Kosovë mbetet konfidenciale.

“Marrëveshjet për dozat dhe kohën e dërgesave arrihen në pajtueshmëri me qeveritë, ashtu sikurse dhe Qeverinë e Kosovës dhe detajet janë konfidenciale”, është thënë në përgjigje.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë të premten përmes një postimi në Twitter se këto doza vaksinash do të dërgohen në Kosovë deri në fund të vitit.

Me 28 maj, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Vitia ka thënë në një konferencë për media se nga 15 qershori do të nisë së zbatuari plani i imunizimit në masë kundër koronavirusit.

Vitia po ashtu ka thënë se plani i imunizimit në masë parasheh dhënien e një numri mes “300 mijë dhe 400 mijë vaksinave në muaj”.

Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.

Deri më tani, Kosova ka përdorur vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.

Të enjten, Kosova ka pranuar një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.

Aktualisht, po vaksinohen personat personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor.

Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit të vaksinojë 60 për qind të popullatës.

Që prej marsit të vitit 2020, e deri më 28 maj, 2021, Kosova ka regjistruar 107.354 raste me COVID-19.

Prej tyre, 2.242 pacientë kanë vdekur dhe 102.519 janë shëruar. Raste aktive janë 2.593./REL





Të ngjashme