Donçiç befason Memphis Grizzlies

Në NBA ishte nata e magjisë së Luka Donçiç. Slloveni shënoi koshin vendimtar në sekondën e fundit në fitoren e skuadrës së tij Dallas Mavericks ndaj Memphis Grizzlies, 114-113. Donçiç realizoi 29 pikë në total, por koshi i fundit trepikësh, përveçse spektakolar për nga mënyra e realizimit, ishte i veçantë se si slloveni arrin të mbajë njërën këmbë jashtë zone dhe tjetrën në ajër.

Këtu ai bëri diferencën sepse koshi vleu 3 pikë dhe jo 2, ndryshe ndeshja do të shkonte në shtesë. Ndër performancat më të mira të mbrëmjes ishte edhe ajo e Steph Curry. 42 pikë për yllin e Golden State Warriors, i cili lehtësisht tejkalon Oklahoma City Thunder për 147-109 me triple double e Green, 12 pikë, 16 asiste dhe 10 rebound. Në ndeshjet e tjera përballje skuadrash kryesuese në konferencën e Lindjes.

Dy skuadra ndodheshin në krye me pikë të barabarta, por tashmë udhëheq e vetme Philadelphia, që fitoi 123-117 ndaj Brooklyn Nets. Një ndeshje e ekuilibruar mes dy ekipeve, ku diferencën në parket e bëri Joel Embiid.

Ai realizoi 39 pikë e 13 rebound, mbështetur nga Harris me 26 pikë. Në kahun tjetër, Irving realizoi 37 pikë, por që mbetën për statistikë, ndërkohë që nuk luajtën Harden e Durant. Fitore të lehtë mori Milwaukee Bucks, që mundi 130-105 Minnesota, ndeshje ku u dallua Middleton me 27 pikë.

Në sekondat e fundit fitoi Los Angeles Clippers, që mposhti 100-98 Detroit Pistons, me Jackson autor i 29 pikëve për miqtë.

Klan News