Pas më shumë se 7 orë ndjekjeje dhe kërkimi nga uji dhe ajri, mjetet dhe forcat e Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi nuk ia kanë dalë të kapin gomonen me trafikantë të dyshuar që fillimisht u pikas në Vlorë, por që tani dyshohet se është fshehur në ujërat mes Malit të Zi dhe Kroacisë.

Mjeti lundrues që lëvizte me shpejtësi në drejtim të Mezo-kanalit, Sazan u konstatua fillimisht rreth orës 13.50 nga Delta Forcë, Policia Kufitare dhe Policia e Vlorës në zonën e Karaburunit.

Policia tha se menjëherë në ndjekje u vunë 3 mjete lundruese të Policisë Kufitare dhe të Delta Forcës sidhe u kërkua ndihma e anijes “Oriku” dhe e Helikopterit të Forcave të Armatosura. Gjithashtu është njoftuar Guardia di Finanza Durrës e Vlorë si dhe homologët Italianë.

Gomonia që lëvizte me shpejtësi duke bërë manovra në det me qëllim shmangjen është ndjekur në ujërat neutrale për rreth 1 orë nga një helikopter “COUGAR” i Forcave të Armatosura, ndërkohë që nga deti vijonte ndjekja nga anija “Oriku” dhe tre mjete lundrues të Policisë Kufitare dhe Delta Forcës.

Policia tha se pas 7 orë ndjekje dhe kërkimi, nuk është bërë e mundur kapja e gomones, pasi dyshohet se është fshehur në ndonjë gji bregdetar, në ujërat territoriale midis Malit të Zi dhe Kroacisë. Por Guardia di Finanza italiane vazhdon kërkimin nga ajri sëbashku me policinë malazeze.

Nga pamjet filmike të realizuara nga helikopteri shqiptar në bordin e gomones dallohen tre persona dhe disa bidona plastikë, ndërsa pjesa tjetër e bordit ishte bosh.

Dyshohet se gomonia do merrte lëndën narkotike në Sazan me qëllim trafikimin në drejtim të Italisë.

Nga krehja e zonës në gadishullin e Karaburunit, në vendin e quajtur “Bristan”, midis shkëmbinjve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 28 kilogramë lëndë narkotike të ndarë në 5 pako./tvklan.al