Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë 1 euro këmbehet me 112.96 lekë
Monedha Euro ka rënë për herë të dytë në historinë e vet poshtë kufirit të 113 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të enjten me 112.96 lekë, niveli më i ulët për vitin 2023 dhe i dyti më i ulët historik. Euro pati rënë më shumë vetëm në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, kur arriti nivelin e 112.83 lekëve.
Rënia e monedhës europiane duket e orientuar drejt rekordeve të reja, duke parë tendencën e muajve të fundit dhe pritshmëritë për rritje të prurjeve valutore gjatë pranverës dhe verës, si rezultat edhe i sektorit turistik që vjen në rritje të vazhdueshme pas pandemisë.
Sipas ekspertëve, një faktor që mund ta frenojë rënien e euros mund të jetë efekti i zgjedhjeve lokale dhe rritja e shpenzimeve qeveritare në periudhën para tyre, që mund të shtojë ofertën e lekut në tregun valutor.
Depozitat bankare në euro kanë vazhduar të rriten edhe në muajt e parë të vitit dhe po bëhen gjithnjë e më dominuese në strukturën e përgjithshme të depozitave.
Një faktor me ndikim në forcimin e lekut kundrejt euros mund të jetë edhe natyra shtrënguese e politikës monetare dhe fiskale në vend, pasi norma bazë e interesit ka arritur në 3%, nga 0.5% që kishte qenë një vit më parë.
Klan News