Kafja duket se është pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë. Pas zgjimit të mëngjesit, rutina e një pjese të mirë të njerëzve vijon me një filxhan kafeje, aroma e së cilës na bën zgjimin e vërtetë prej gjumit. Llojet e kafes dhe shijimit të saj janë të ndryshme, por servirja rrallëherë vjen ndryshe dhe sigurisht kur një filxhan që përmban lëngun magjik që na karikon trurin dhe mendjen vjen dhe me një dekor specifik apo të dedikuar, të personalizuar që na bën të ndjehemi të veçantë, kënaqësia shumëfishohet. Por baristët që e kthejnë në art procesin e përgatitjes dhe servirjes së kafes, janë artistë dhe nuk gjenden shpesh.

Në emisioni “Historia ime” në Tv Klan ka qenë i ftuar pikërisht një barist që e kthen filxhanin e kafesë në një oaz të vogël artistik dhe plot shije.

Ai është Jetmir Maliqi nga Kosova i cili krijon vepra arti në filxhanët e kafesë dhe i shërben klientëve të tij prej 23 vitesh. Vepra e tij më e fundit janë portrete me kokrrat e kafesë.

Ai njihet ndryshe edhe si “piktori i kafes”, pasi me shumë mjeshtri përgatit kafe me figura të ndryshme.

Ndonëse konsiderohet si më i miri në Ballkan, Maliqi e ka të pamundur t’i ndjekë të gjitha festivalet e artit të kafesë.

Thotë se nuk ka përkrahje nga sponsorët e kafesë siç ndodh në gjithë botën, dhe për më tepër shpesh ka munguar në këto festivale edhe për shkak të pamundësisë për t’u pajisur me vizë.

Së fundmi Maliqi ka kaluar në një tjetër nivel. Ai ka filluar të bëjë figura ose portrete në trajtë mozaiku me kokrra kafeje. Ofertën e fundit nga jashtë e ka patur nga Amerika, e megjithatë ai vazhdon të jetë në Prishtinë.

Mirela Milori: Si filloi, si e pe që e kishe pasion të pikturoje filxhanët e kafesë?

Jetmir Maliqi: Kam filluar të punoj si barist i thjeshtë, kam bërë kafe të thjeshta, më pas e pashë veten që kisha dhe një talent në vizatim në kafe se në letra nuk kam ditur. Di vetem tek kafja, tek kremoza. Kur pashë se u përshtata dhe vazhdova.

Mirela Milori: Kur fillove të pikturoje nise me këto mjete profesionale apo mjete rrethanore?

Jetmir Maliqi: Me mjete të thjeshta kam filluar, më pas kam porositur, më kanë dhënë edhe dhurata nga kampionë nëpër botë në Norvegji, Itali dhe Gjermani.

Mirela Milori: A ka gara më vete?

Jetmir Maliqi: Po ka gara.

Mirela Milori: Si arrin që fantazinë tënde ta japësh tek filxhani i kafesë?

Jetmir Maliqi: Varet edhe nga klienti, por të kesh vullnet dhe stimulim mund të nxjerrësh gjëra të bukura. Ka shumë VIP-a që vijnë vetëm për të pirë kafen time dhe që më kanë parë përmes Instagramit.

Mirela Milori: Kush është një personazh që ty të pëlqen t’ja bësh gjithmonë kafenë kështu të kuruar.

Jetmir Maliqi: Ka shumë, ka shumë personazhe që ia kam nxjerrë portretin. Ermal Mamaqin e kam shok shumë të mirë. Ai më ka shtyrë përpara dhe më ka thënë mos u dorëzo, bëje prap, më ka përkrahur çdo herë.

Mirela Milori: Cila ka qenë puna më e vështirë?

Jetmir Maliqi: Puna më e vështirë Gjeneralin Adem Jashari. Kam marrë filxhanin me kafe, kam shkuar tek busti dhe fillova të pikturoja. Më ka dalë shumë bukur, ia dola dhe u gëzova aq shumë sepse nuk i besoja duarve të mia që e nxorra unë atë. Më mori 4-5 minuta kohë. /tvklan.al