Ministri Peleshi: Pas 15 vitesh po nxjerrim pilotë me kapacitetet tona

Dymbëdhjetë nëntogerë që po ndjekin kursin e pilotit ushtarak në Bazën Ajrore të Farkës nisën praktikën me helikopterët, pas përfundimit me sukses të fazës teorike.

Në fluturimin e parë të kadetëve, i pranishëm ishte ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili e konsideroi këtë ngjarje si shumë të rëndësishme

Për ne është shumë e rëndësishme pasi pas 15 vitesh po prodhojmë vetë, me kapacitetet tona pilotët e rinj. Me kosto të larta, me kontributin dhe mbështetjen e vendeve të tjera partnere, ne kemi krijuar kapacitet tona të pilotëve por tani po vemë në dispozicion dhe në funksion kapacitetet tona njerëzore të brendshme për të nxjerrë 10-12 pilotët e parë. Krahas burimeve njerëzore, po punojmë për përmirësimin e infrastrukturës, për rritjen e gatishmërisë së helikopterëve”.

Ministri Peleshi u bëri thirrje të rinjve shqiptarë të zgjedhin Akademinë e Forcave të Armatosura për studime ku mund të aplikojnë nga data 29 Korrik deri në 3 Gusht.

Është padyshim një nga mundësitë më të mira në treg të studiosh pranë AFA, nuk kemi vetëm ofertën shumë të mirë të shkollimit të bachelorit në shkenca ushtarake, por paralel me të do të hapim këtë vit për herë të parë edhe dy programe të tjera bachelor, një program në Shkencat e Teknologjisë së Informacionit plus formim ushtarak dhe një tjetër Navigacion Komandim Detar dhe patjetër Shkenca Ushtarake. Përveç këtyre do të hapim edhe një program me 20 studentë në Cyber Security, master në Sigurinë Kibernetike”.

Pas praktikës fluturuese për kadetët në kursin e pilotit që zgjat rreth 6 muaj, Akademia e FA po përgatitet për të mirëpritur brezin e dytë të studentëve.

Klan News