I përhumbur në mendime dhe me duart në bel, ky është bashkëshorti që vrau Caroline Crouch, në foton e parë brenda burgut ku ai po mbahet për vrasjen brutale të 20-vjeçares. 33-vjeçari Babis Anagnostopoulos u fotografua pas hekurave të rrethuar me tela më gjemba ndërkohë që bënte ushtrime në oborrin e burgut famëkeq të Koridhalosë, që ndodhet në rrethinat e Athinës dhe është një prej burgjeve të sigurisë së lartë së Greqisë.

Kushtet brenda këtij burgu janë kaq të këqija sa qeveria greke është zotuar për ta mbyllur, por Anagnostopoulos po qëndron në zonën “VIP” të tij, duke marrë një trajtim ndryshe nga burgosurit e tjerë. Pikërisht ky fakt është vënë në dukje jo vetëm në mediat greke, që këtë të shtunë publikuan foto brenda qelisë së 33-vjeçarit, por edhe atyre britanike. Kjo pasi Caroline ishte me origjinë britanike dhe vrasja e saj brutale që në fillim ka zënë një hapësirë të madhe në mediat atje.

Kështu, duke komentuar këto foto, DailyMail shkruan se qelia e Babis Anagnostopoulos është e pajisur me dush personal, tualet, orendi, një dritare të madhe që lejon mjaft dritë dhe një televizor…

Qelinë 33-vjeçari po e ndan me tre të burgosur të tjerë, një ish-polic burgjesh i dënuar për trafik droge dhe dy trafikantë të tjerë.

Për mediat greke një roje i burgut tha: “Është si të jetë në shtëpi dhe po shijon jetën. Luksi që e rrethon po shkakton mjaft zemëratë”.

Babis Anagnostopoulos është kthyer në një prej të burgosurve më famëkeq, pasi pranoi vrasjen e bashkëshortes së tij 20 vjeçare e më pas krijoi një skenar të tërë që ta bënte të dukej sikur Caroline ishte vrarë gjatë një grabitjeje në shtëpi.

Burime nga burgu, për DailyMail thanë se pas seancës të zhvilluar të martën, ku u la në burg, fillimisht nuk tha asnjë fjalë. Por që prej atij momenti ai është bërë shumë më social me shokët e qelisë.

33-vjeçari mësohet se ka kërkuar që të punojë në burg dhe ka kërkuar po ashtu disa libra për të shtyrë kohën, duke qenë se gjyqi ndaj tij nuk pritet të nisë për 18 muaj të tjerë.

DailyMail shkruan më tej se, teksa Anagnostopoulos qëndron në një zonë ‘ekskluzive’ të Koridhalosë, të burgosurit e tjerë përballen me kushte që janë përshkruar si degraduese dhe çnjerëzore. Disa raporte flasin për një kontroll të burgut nga bandat e dhunshme, duke bërë që edhe vetë gardianët të janë të frikësuar për të patrulluar brenda. Një delegacion i Këshillit të Europës e vizitoi këtë burg vitin e shkuar dhe pa kushtet e rënda në të cilën të burgosurit jetonin. Në Koridhalo ndodhen rreth 13 mijë të dënuar. Ky burg u hap në 1967-n me një kapacitet prej rreth 8 mijë persona.

Caroline u mbyt në gjumë për 6 minuta nga bashkëshorti i saj Anagnostopoulos, ndërkohë që vajza e tyre Lydia ndodhej aty pranë. Për javë me radhë, Anagnostopoulos luajti rolin e bashkëshortit të ve që vuante ndërkohë që policia kërkonte për ‘grabitësit’ që ai pretendonte se e kishin lidhur dhe i kishin vrarë gruan, ashtu sikurse edhe qenin e familjes.

E gjithë maskarada përfundoi të mërkurën e shkuar, disa orë pasi përqafoi nënë e Caroline, në një shërbim memorial që po mbahej në nder të së resë. Më 17 qershor, policia deklaroi zyrtarisht se Anagnostopoulos kishte rrëfyer vrasjen e Caroline, pasi kjo e fundit e kishte kërcënuar se do ta divorconte dhe do të merrte vajzën.

Në rrëfimin e tij tronditës për vrasjen e bashkëshortes me të cilën ishte martuar në vitin 2019-n, Anagnostopoulos me profesion pilot helikopteri tregoi: “Caroline nisi lëvizte të gjithë trupin, në mënyrë që të më ikte nga duar, ndërsa unë vijova ta mbaja të shtrënguar. Në një moment fytyra e saj ishte përmbys mbi jastëk. Vijova ta mbaja me duar derisa ajo reshti së lëvizuri. E gjitha kjo zgjati rreth 5 minuta, që nga momenti kur e përqafova derisa nuk lëvizi më”. 

Anagnostopoulos pretendon se nuk e kishte planifikuar vrasjen e 20-vjeçares dhe se kur kjo kishte ndodhur, ai vendosi ta mbulonte sepse nuk mund të jetonte me mendimin që Lydia të rritej pa prindër.

Prindërit e Caroline kërkojnë tashmë kujdestarinë e plotë të Lydias dhe më herët gjatë kësaj jave ata dorëzuan kërkesën në një gjykatë në Athinë. Vendimi pritet të merret javën e ardhshme.//tvklan.al