Një pilulë e re për rënien në peshë, mund të ndihmojë miliona njerëz të moshës së mesme, sipas një studimi të rëndësishëm.

Shkencëtarët thonë se lorcaserin, i konsideruar si “Grali i shenjtë” i humbjes së peshës, është tre herë më efektiv sesa dieta. Tabletat që merren dy herë në ditë, nxisin qelizat e trurit të kontrollojnë oreksin, të cilat mund të bëhen më pak aktive ndërsa mosha kalon.

Një provë e kryer në 12.000 njerëz mbipeshë zbuloi se ata që merrnin tabletat humbën mesatarisht 4 kg vitin e parë, trefishin e kilogramëve që humbën personat të cilët nuk merrnin tableta.

Lorcaserin u provua se jep rezultate afatgjatë, për këtë arsye ai ky medikament është shumë i përhapur në Britani të Madhe.

Ekspertët britanikë thanë se tableta, e cila kushton rreth 220 paund për një furnizim një mujor, do të mbushë një hendek të madh në betejën kundër problemit të obezitetit të vendit.

Aktualisht, mjekët mund t’i këshillojnë njerëzit vetëm të bëjnë dieta dhe ushtrime fizike ose t’u rekomandojnë atyre kirurgji të heqjes së dhjamit.

Dr. Erin Bohula, e cila udhëhoqi studimin në Shkollën Mjekësore të Harvardit, tha në Konferencën e Shoqërisë Europiane të Kardiologjisë në Mynih, se zbulimet ishin një “moment historik i rëndësishëm”.

Ajo shtoi:

“Ne kemi qenë në gjendje të demonstrojmë për herë të parë në mënyrë rigoroze dhe të thjeshtë se ky ilaç, bën atë që supozohet të bëjë, ndihmon njerëzit të humbin peshë, pa shkaktuar efekte anësore si sëmundje kardiovaskulare”.  

Dr. Bohula tha se dieta dhe ushtrime fizike duhet të mbeten “guri i themelit” të humbjes në peshë por shtoi: “Sfida e vërtetë është që pesha të mbahet konstante”.

Studimi tregoi gjithashtu se medikamenti zvogëlonte rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 me 19 për qind dhe përmirësonte presionin e gjakut, sheqerin në gjak si edhe ritmin e zemrës./tvklan.al