Nikolina Mali, përfaqësuese e 12 studentëve, solli në redaksinë e “Stop” shqetësimin për mospajisjen me numër matrikulimi. Këta studentë janë futur në Universitetin e Arteve pas rishpërndarjes së kuotave dhe kanë filluar procesin mësimor në Nëntor të 2019-ës. Në Janar nuk kanë bërë pagesën, për shkak se nuk janë matrikuluar dhe u është thënë vetëm që të presin.

Zëvendësrektori i Universitetit të Arteve, Erald Bakalli, shpjegon se situata me rialokimin e kuotave ndodh çdo vit. Problemi, sipas tij, është me QSHA, që i ka bllokuar këta studentë e nuk i jep numër matrikulimi. Etapa e 3-të e konkursit është mbyllur në 16 Tetor 2019 dhe rishpërndarja është bërë në 22 Tetor më studentë nga u-albania.

Po çfarë thotë drejtoria e matrikulimit pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore?

Drejtoresha: Për vitet e tjera akademike ka qenë një udhëzim i ministrisë për aplikimet me dosje. Për vitin akademik 2019-2020, Ministria nuk ka nxjerrë udhëzim për këto raste. Këta kanë aplikuar në portal realisht, por nuk janë shpallur fitues në fazat e para. Kur kanë bërë rialokimin e kuotave, duhej që këta t’i dërgonin tek Rash-i, pra duhej, që Rash-i të hapte vendet.

Gazetarja: Por Rash-i është me data të caktuara sipas informacioneve që kam unë. Sistemi nuk hapet kur do ti.

Drejtoresha: Unë në udhëzim e kam, që mua më vjen databaza nga Rash-i.

Gazetarja e “Stop” i drejtohet Rash-it dhe drejtori shprehet se sistemi hapet dhe mbyllet me data të caktuara, jo sipas dëshirës. Në këto kushte zgjidhja duhet të jepet nga Ministria dhe të mbahet përgjegjësi për shkresën me të cilën është bërë rialokimi i kuotave.

Gazetarja: Në qoftë se unë regjistrohem në portalin “u-Albania”, por nuk dal fituese, a vazhdoj të jem ekzistent në portal?

Drejtori: Po sigurisht, nuk zhdukesh! Ti ke aplikuar njëherë dhe qëndron aty. Faza e tretë për këta është.

Gazetarja: Faza e tretë ishte nga dt 16-18 tetor, ndërkohë rialokimi i kuotave ka ndodhur në datën 22 tetor.

Drejtori: Po atëherë i ka regjistruar me dorë. Ti më pyete “Hapet portali?”, portali nuk hapet pas ditës së fundit, që parashikon udhëzimi i Ministrit.

Zgjidhjen e këtij problemi mund ta japë vetëm Ministria e Arsimit dhe Sportit, që duke marrë shkas edhe nga shkresa e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, ka dhënë leje për rialokimin e kuotave për Universitetin e Arteve. Pas kësaj leje të dhënë, studentët kanë filluar ciklin e studimeve për violinë dhe kanto, por janë bllokuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Në këto kushte, “Stop” solli të gjitha argumentet si nga Universiteti i Arteve ashtu edhe nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, ashtu edhe nga Rash-i. Përgjegjësia finale dhe zgjidhja e këtij problemi i takon Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. /tvklan.al