Milani është gati në Europë për një tjetër derbi italian. Në sezonin e shkuar, kuqezinjtë u përballën me Napolin dhe Interin në Ligën e Kampionëve, ndërsa këtë vit futbollistik djemtë e Piolit do të ndeshen me Romën në çerekfinalen e Ligës së Europës. Sfida e parë luhet në “San Siro” me trajnerin 58-vjeçar që në konferencën për shtyp dha opinionin e tij për takimin.

“Do të jetë një sfidë shumë ndryshe kundër një skuadre që po bën mirë dhe po ndjek një objektiv të rëndësishëm. Ka ardhur koha që ne të tregojmë forcën tonë, por do të duhet të japim maksimumin në secilën ndeshje. Me De Rossi-n në pankinë, Roma humbi vetëm kundër Interit, ata po bëjnë shumë mire, si edhe ne. Skuadra ndryshoi qasjen dhe pozicionet në fushë, ne kemi studiuar ndeshjet me De Rosin në stol”.

Real Madrid dhe Manchester City dhuruan spektakël në “Bernabeu” me sfidën që u mbyll 3-3, por tekniku i kuqezinjve mendon se ekipi i tij nuk është larg këtij standardi. “Djalli” mundi Romën dy herë në Serie A këtë sezon, por të dyja fitoret erdhën kundër skuadrave të menaxhuara nga Jose Mourinho. Takime të tjera në mbrëmjen e së enjtes në Ligën e Europës janë Benfika-Marseja, ndërsa Atalanta e Berat Gjimshitit do të ndeshet në “Enfild” me Liverpulin.

Klan News