Mjeku i infeksionit, Pëllumb Pipero, ka folur së fundmi për mutacionet e reja të virusit Covid-19, teksa është shprehur se sa më shumë të zgjasë pandemia, aq më shumë shtame të reja do të ketë.

Pipero gjithashtu ka theksuar se mutacionet e reja mund të kenë hyrë në Shqipëri, gjë për të cilën ai thotë se është i sigurt, por kjo gjë do të konfirmohet me kohën.

Ai shpjegon se kjo mundësi ekziston pasi në vendin tonë ka pasur persona që kanë ardhur nga Anglia dhe vende të tjera të Europës, ku mutacione të këtij virusi janë prezente.

Ka një mutacion të madh të këtij virusi. Është mutacioni britanik, nigerian, në Napoli u gjet një ndryshim tjetër. Ka hyrë në Kroaci virusi i ndryshuar i Brazilit. Si mund të mbrohen njerëzit nga gjithë ky deformim kaq i shpejtë i virust?

Mutacionet e virusit janë sjellje normale të virusit dhe sa më shumë të zgjasë një pandemi aq më e mundshme është që virusi të pësojë mutacione.

E rëndësishme është që në thelb mbrojtja ndaj tyre apo parandalimi ka të njëjtat masa në bazë. Maskën, distancën dhe higjenën e duarve, krahas vaksinës.

Dua të theksoj se prodhimi i një apo disa vaksinave është një hap shumë i madh dhe i sigurt që na mundëson të krijojmë vaksina edhe për variantet e tjera të këtij virusi shumë më shpejt.

Edhe pse duket sikur virusi është një hap para shkencës, jam i bindur që shkenca ecën aktualish, ndoshta edhe më shpejt se virusi.

Numri i lartë i të infektuarve në vend po shtohet nga dita në ditë. Për fat të keq po shtohen edhe fatalitetet. Mendoni se kanë hyrë shtamet në Shqipëri?

Ndoshta për rastësi në studion e TV Klan kam qenë i pari që kam deklaruar se kam bindjen që virusi ka hyrë në Shqipëri dhe pas 3-4 ditësh dolën rastet e para. Kolegë të mi më përpara kanë thënë të bindur që shtamet e reja kanë hyrë në Shqipëri, por natyrisht pa e konfirmur ne nuk themi dot që “po ka hyrë”.

Por mundësia është shumë e madhe sepse ka numër të shtuar të qytetarëve që kanë ardhur qoftë nga Anglia, qoftë nga vendet e tjera të Europës. Mundësia për të hyrë eksziston dhe jam i sigurt që viruset kanë hyrë. Është çështje kohe konfirmimi i tyre.

Mendoj që arsyeja kryesore e shtimit të rasteve është stina e ftohtë, është dimiri , është ekspozimi më i gjatë i qytetarëve në ambiente të mbyllura, kryesisht i moshave të reja.

Klan News