Dy javë pasi kishte marrë dozën e parë të vaksinës, Mjeku Pëllumb Pipero rezultoi pozitiv me Covid-19. Rasti i tij është ndoshta i pari në vendin tonë, megjithatë, siç pohon dhe vetë mjeku, nuk do të jetë i vetmi.

Pipero, i cili qëndron i izoluar në shtëpi, në një postim në rrjetet sociale thotë se infektimi mund të ndodhë pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, pasi duhen së paku 2 javë të fillojë prodhimi i antitrupave dhe në fund të javës së tretë, niveli i imunitetit arrin 70-80%, e një javë pas dozës së dytë mbrojtja është e sigurt dhe maksimale.

Për këtë arsye, mjeku thotë se është shumë e nevojshme që pas dozës së parë të vaksinës “të vazhdojmë të kemi të njëjtin kujdes si çdo person i pa vaksinuar. Kjo këshillë vlen për të gjithë, sot për bluzat e bardha në proces vaksinimi dhe nesër edhe për qytetarët deri në marrjen e dozës së dytë të vaksinës”.

Pipero thotë se bashkë me specialistët e ISHP janë duke e investiguar rastin./tvklan.al