Agjencia “Reuters”, reportazh për transformimin e ndërtesës në qendër trajnimi për teknologjinë

Tirana vijon të jetë në krye të axhendës së turistëve të huaj që po vizitojnë këtë sezon Shqipërinë. Me interes për vizitorët, e kaluara komuniste e vendit, sidomos ndërtesat e kohës së socializmit. Një prej tyre që ka tërhequr edhe këtë turiste gjermane, është Piramida.

“Po shoh që në Tiranë  ka shumë ndërtesa të vjetra që i përkasin kohës së regjimit komunist, por ka edhe shumë ndërtesa të reja dhe mjaft interesante. Me të vërtetë, jam shumë e  befasuar. Më pëlqen ky qytet, do t’u tregoj miqve të mi  për këtë vend.”

Piramida mbetet një prej vendeve më të vizituara në kryeqytet ndërsa u hap pjesërisht pas një rikonstruksioni të plotë. Tani objekti është në fazën e fundit të transformimit në një qendër trajnimi për teknologjinë dhe programimin. E kaluara dhe e tashmja e ndërtesës ikonike të Tiranës është në fokusin e një reportazhi të agjencisë Reuters.

E mbushur dikur me foto dhe sende personale të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, struktura 21 metra e lartë, simbolizon regjimin e egër që ishte në fuqi në Shqipëri deri në vitin 1990. Muzeu i ndërtuar në fund të viteve 1980 po kthehet tani një qendër të madhe edukimi.

“Ishte një arkitekturë ndryshe nga të tjerat. Duke dalë nga kapja e një regjimi totalitar, ajo kishte vlera të brendshme përtej kësaj. Megjithatë, nga ana tjetër, qëllimi fillestar ishte krijimi i një muzeu ose mauzoleu. Kjo i shtyu njerëzit të bërtisnin për heqja e simbolit të vetëm të mbetur nga periudha  e komunizmit”.

E projektuar nga arkitektë të njohur të kohës, përfshirë vajzën e Hoxhës, ndërtesa u hap për publikun në vitin 1988 dhe qëndron në qendër të kryeqytetit si një monument i frymëzuar nga piramidat egjiptiane.

“Një zyrtar i lartë komunist m’u afrua dhe më tha: “Sot është dita e fundit për të bërë çdo porosi për blerjet e nevojshme derisa të përfundojë muzeu, pasi nuk do të kemi fonde për shpenzime shtesë; arka e shtetit është bosh”. Në atë moment kuptova se ky muze shënoi kapitullin e fundit të komunizmit dhe siç doli, jo shumë kohë pas përfundimit të muzeut, komunizmi ra.”

Pasi regjimi komunist ra në vitin 1990, anët e Piramidës u improvizuan si një kënd lojërash për fëmijët, në mungesë së hapësirave për ta.

Më vonë, ndërtesa shërbeu si një bar e klub nate, studio televizive, madje edhe si një qendër operacionale e përdorur nga forcat e NATO-s gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.

Tani ndërtesa e rikonceptuar i është rikthyer publikut dhe po shërben si një ‘magnet’ për turistët.

Klan News