Piramida e Tiranës përfshihet në listën “Work of Wonders” të revistës Architectural Digest si një prej projekteve më të reja spektakolare në mbarë globin për vitin 2024.

Është gjigandi mediatik amerikan CNN ai që i ka bërë jehonë këtij fakti, ku përmes një artikulli të veçantë vë në pah se si arkitektura ekzistuese është përshtatur më së miri për të ardhmen.

“Në qendër të qytetit të Tiranës, banorët dhe vizitorët mund të ngjiten në një piramidë monumentale që dikur ishte simboli i ndritshëm i një diktature shtypëse”, kështu e nis artikullin CNN për të vazhduar me të tjera detaje…

“E rikonceptuar nga studioja holandeze e arkitekturës MVRDV, Piramida e Tiranës është shndërruar nga një ish-muze i rrënuar kushtuar ish-liderit të vendit në një qendër kulturore me kuti shumëngjyrëshe, shkallë dhe rrëshqitje të pjerrëta.”

Vetë eksperti që përzgjodhi 18 veprat më të mira arkitekturore në 5 kontinente, Sam Cochran, për CNN shpjegon se Piramida e Tiranës është përzgjedhur në këtë listë për vetë faktin e shndërrimit nga një ndërtesë e vjetër, në një qendër të rigjallëruar kulturore dhe novacioni.

Por këtë vit në listën WOW, krah Piramidës, qëndrojnë edhe të tjera projekte arkitekturore inovative dhe ‘echofriendly’, si Pavjoni Lama në Kili, që ngrihet në një linjë me pemët në qytetin Yangay, akuariumi i ngritur mbi një gërmadhe në Meksikë, apo kjo godinë në Kinë që funksion si një kapsulë në funksion të një biblioteke dhe librarie.

Tv Klan