Veliaj: Do jetë gati në vitin 2022

Piramida do të jetë në 2022 qendra më e madhe e teknologjisë në të gjithë Ballkanin. Punimet për transfomimin e saj u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili tha se ajo do përfundojë vitin tjetër.

“Vitin tjetër kur do të jemi “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, të rinjve në Tiranë do u japim ndoshta dhuratën më të mirë ndonjëherë, që është një shtëpi e madhe digjitale në mes të kryeqytetit, në vendin më të lakmuar. U shpëtua ndër vite për të gjithë peripecitë që ka kaluar Tirana. Kur shikoj Parkun Rinia si u zaptua, sheshi apo zona të tjera, u shpëtua por kjo nuk mjafton, se mund ta shpëtosh diçka dhe ta mbash gërmadhë, ose mund t’i japësh jetë dhe ta transformosh”.

Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës është e gatshme të ofrojë mbështetje për të shtuar hapësirat për zhvillimin e aftësive në fushën e teknologjisë.

“Jam shumë krenar për faktin që e kemi kaluar atë rekordin tonë të 1 mijë nxënësve dhe sot jemi në një situatë ku është bërë emergjente rritja e hapësirave. Jam shumë i gatshëm nëse ka hapësira të tjera që ne mund të marrim me qira ta bëjmë për të mos kthyer pas askënd”.

Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët. Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit.

Tv Klan