Pritet të nisin punimet për ta kthyer në qendër inovacioni për të rinjtë

Kjo është pamja që ofron Piramida në qendër të Tiranës. Dikur një ndërtesë e bukur e mbuluar me mermer të bardhë, ajo u ndërtua pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Partia e Punës vendosi që të përjetësohej figura e udhëheqësit dhe ngritja e Piramidës u ndërtua për të shërbyer si muze për diktatorin komunist. 

Në këto 30 vjet, ajo u kthye në një mollë sherri mes partive politike, ndërkohë që funksionet e saj kanë qenë nga më të ndryshmet. Por vendimi për ta transformuar në teatër ishte ai që i solli më shumë dëme strukturës së saj deri dhe te shkatërrimi i pllakave të mermerit.

Në vitin 2011, nga qeveria Berisha u mor vendimi për ta prishur dhe për të ndërtuar aty Parlamentin e ri, por hasi në kundërshtime të forta. Gjithsesi Piramida sot e kësaj dite qëndron në këmbë si pjesë e historisë së Shqipërisë. Pasi historia e një kombi, sado e errët apo e hidhur të jetë, duhet të kujtohet.

Në Prill të vitit 2019, qeveria dhe Bashkia e Tiranës prezantuan projektin e ri transformues të Piramidës në një qendër të madhe për Teknologji e Informacion. Edhe pse u deklarua se punimet do të nisin në Qershorin e vitit të shkuar, aty ende nuk ka nisur puna. Projekti është realizuar nga arkitekti Winy Mass dhe parashikon një Piramidë të hapur e të aksesueshme nga të gjitha anët, me shumë hyrje dalje.

Pjesa me pllaka e saj do të ruhet, ndërkohë që do të ndërtohen shkallë të cilat do të mundësojnë hipjen e njerëzve në majë të saj. Parashikohet të ketë bare, por edhe miniparqe përreth saj.

Sipas Kryebashkiakut Erion Veliaj, realizimi i këtij projekti pritet të nisi shumë shpejt. Këtë deklaratë, kreu i Bashkisë e bëri gjatë inspektimit të punimeve që po bëhen tek “Tumo Center”, në mjediset e stadiumit kombëtar “Air Albania”, e cila do të presë mijëra të rinj të moshës 12-18 vjeç, ku do të mësojnë gjuhën e kodimit. Ky investim, sipas Veliajt, përkon edhe me idenë për ta kthyer stadiumin “Air Albania” në një qendër multifunksionale.

Klan Plus