Drejtësia vonon, por nuk harron. Por në gjykatën e Tiranës, drejtësia vonon më shumë se në çdo gjykatë tjetër. 69 gjyqtarë të kësaj gjykate, gjykojnë rreth 43 mijë dosje gjatë një viti. Një gjyqtar ka deri 4 çështje në ditë. Për përfaqësuesit ligjor, ky numër i lartë i dosjeve ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e gjykimit të një çështje. Kjo sipas tyre sjell një hetim të paplotë dhe gjithanshëm, duke mos përcaktuar normën juridike që është tepër e rëndësishme në gjykim.  Për avokatët Ky numër i lartë i dosjeve përbën risk për gjykimin e fakteve, që mund të jetë i padrejtë duke ndikuar tek palët gjyqësore.

Ndodhemi në arkivin e gjykatës së rrethit gjyqësor të Tiranës, një nga gjykatat më të mëdha në vend për shkak të çështjeve voluminoze që trajton. Për vitin 2018 ajo ka gjykuar rreth 43 mijë çështje, nga këto 28 mijë janë çështje civile dhe 15 mijë janë çështje penale. Gjykata e rrethit gjyqësor së Tiranës ka 69 gjyqtarë, në muaj ata gjykojnë rreth 130 çështje kryesisht ato civile, ndërsa për çështjet penale ato arrijnë deri në 120 çështje në muaj.

Interesimit të TV Klan Gjykata e Tiranës tha se 45 gjyqtarë merren me çështjet civile dhe 24 me çështje penale.

Numri i lartë i dosjeve i cili arrin në disa mijëra në gjykatën e rrethit gjyqësor të Tiranës ndikon drejtpërsëdrejti në edhe në gjykimin e një çështje. Në bazë të ndryshimeve të kodit të procedurës civile tashmë një çështje gjykohet nga tre deri në 4 muaj, ndërsa një çështje penale nga dy deri në 6 muaj.

Numri i lartë i dosjeve për gjykim nga ana e gjyqtarëve u evidentuan edhe në raportin e fundit të kontrollit të lartë të shtetit. Në auditin pranë Gjykatës Administrative të Apelit thuhet se mungesa e burimeve njerëzore ka bërë që volumi i dosjeve për çdo gjyqtar të jetë shumë i lartë, me rreth 70 të tilla në muaj.

Sipas auditit të KLSH kjo ka ardhur si  pasojë e mosplotësimit të shtesës organike të strukturës që ka mbetur peng i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

Tv Klan