Një humbje e madhe jo vetëm për kantautorin Pirro Çako, por edhe për të gjithë artin shqiptar ishte ndarja nga jeta e tenorit të madh Gaqo Çako.

Mjeshtri i madh i muzikës, simboli historik i operas dhe muzikës shqiptare, “Nderi i Kombit”, Gaqo Çako u nda nga jeta në moshën 83- vjeçare. E pikërisht për momentet e fundit të babait të tij foli sot në studio kantautori. I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Pirro Çako, tha se babai i tij i la shumë amanete dhe një ndër ta ishte që kënga “Fjalët e qiririt” të ishte në homazhet e tij.

“Kam qenë pranë tij kur u nda nga jeta. E dija që ishin momentet e fundit. Nuk mund të rrija gjatë gjithë kohës aty, kisha dalë për të blerë disa gjëra sepse doktori më tha që nuk do të zgjaste shumë. Më njoftuan dhe vajta shpejt aty. Ai la shumë amanete, një ndër ta ishte për këngët e homazheve të tij. Më mungon shumë, por sot jam më i fortë, derdh më pak lot nga sytë sepse nga zemra vazhdoj të vajtoj njëlloj. E kam të vështirë. S’ka si prindërit, janë dy njerëz që s’të tradhtojnë kurrë. Që kur ai nuk është më, më duket sikur ka humbur një krah i trekëndëshit të familjes. E kujtoj vazhdimisht, do më mungojë gjithmonë, por tani që ai nuk është unë kujtoj gjërat që më ka thënë. Ai ishte njeri i heshtur, idealist, e njihte shumë mirë të bukurën dhe nuk bënte kompromise. Shumë vonë më ka pranuar mua si kompozitor, por shumë vonë ma shprehu. U ndjeva i lehtësuar, aty mora edhe unë besim në vetvete. Ai nuk dorëzohej, nuk pranonte kohën që kalonte, donte të ishte gjithnjë i gatshëm për të kënduar. Mamaja e ka shumë të vështirë, kishin 60 vjet bashkë. Edhe pse shkoj dhe rri me të, ngushëllimi është i pamundur, ajo nuk e zëvendëson dot atë njeri. Jam me fat që kam akoma nënën”,

tha Pirro.

/tvklan.al