Uji me nivel të lartë klori dhe ngarkesa mikrobiale

Ashtu si çdo vit, pishinat, kryesisht të mbipopulluara të kryeqytetit nuk kanë garantuar sigurinë e duhur për qytetaret. Disa prej tyre kanë probleme me kushtet higjieno–sanitare. Autoriteti Shëndetësor Rajonal ka rekomanduar mbylljen e 6 prej 43 pishinave të kontrolluara në Tiranë.

Gimjan Dokle, operator i DSHP: Janë kontrolluar rreth 45 pishina vetëm për Tiranën, janë marrë kontrolle uji dhe në 6 basene kanë rezultuar devijime nga normat  higjieno-sanitare për të cilat janë lënë detyra për korrektim dhe mbyllje provizore. Kanë dalë probleme në këto pishina me trajtim manual të ujit.

Specialistet e shëndetësisë e shohin me shqetësim frekuentimin e pishinave dhe thonë se gjatë verës ka pasur rritje të numrit të të prekurve nga infeksionet.

“Janë vënë re me nivel të lartë të klorit dhe mos respektimi i pushuesve të pishinave që kanë prishur cilësinë e ujit. Niveli i lartë i klorit rrit agresivitetin e ujit duke bërë që të irritohet lëkura dhe sytë, gjithashtu kemi edhe ngarkesën mikrobiale të ujit që ndikon më shumë tek infeksionet.”

Sipas Autoritetit Shëndetësor Rajonal, pothuajse në asnjë rast, kujdestarët e pishinave nuk zbatojnë rregulloren që parashikon larjen paraprake në dushe dhe futjen në vaskë me disinfektues për të gjithë frekuentuesit e pishinave, në mënyre që të eliminojnë mundësinë e prekjes nga infeksionet.

Tv Klan