Dalin detaje të reja lidhur me vrasjen e 39-vjeçarit Emiljano Ramazani. Sipas imazheve të siguruara nga policia prej kamerave të sigurisë, rezulton se gjatë kohës që Ramazani parkonte automjetin ‘Ford Focus’ poshtë banesës së tij, i është afruar një automjet tip Volkswagen. Brenda tij ndodheshin 3 persona.

Njëri prej tyre, me një armë tip pistoletë ka shkrepur 5 plumba mbi automjetin e viktimës, duke e lënë të vdekur në vend. Xhami i makinës së tij e dëshmon këtë. Ndërsa në makinën e djegur në fshatin Vidhas, janë gjetur dy armë kallashnikovë.

Dy janë pistat ku është përqëndruar hetimi policor. Njëra lidhet me biznesin ilegal të fajdeve, ndërsa tjetra me shpërndarjen e drogërave të forta në qytet. Për veprën e dytë, Ramazani është arrestuar e dënuar disa herë. E fundit ishte në vitin 2018. Atë kohë, Prokuroria e Elbasanit kërkoi për të 8 vite burg, por gjykata e nxorri të pafajshëm, edhe pse në dosje kishte prova të mjaftueshme që e implikonin.

Problemet me drejtësinë për 39-vjeçarinnisën që në vitin 2012. Atëherë kur së bashku me 5 persona të tjerë u vunë në pranga në kuadër të një operacioni policor. Akuza ishte e njëjtë, po për shpërndarje droge në qytet. Edhe atë kohë u la i lirë nga gjykata.

Sipas tyre, nuk kishte prova të mjaftueshme që e implikojnë atë. Tashmë  grupi hetimor vijon me kqyrjen e pamjeve dhe provave për të bërë të mundur identifikimin e autorëve, që pretendohet të ketë qenë një dorë profesioniste, dhe e kryer nga vrasës me pagesë.

Klan Plus

Gazetare: Aida Topalli