Shkodër | Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Shkodër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i Kristian Kronit, 31 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula”, Shkodër.

Nga veprimet e para hetimore policia thotë se dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Kristian Kroni pasi ka konsumuar alkool në lokal, është larguar dhe më pas është kthyer përsëri dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit, duke vënë në rrezik jetën e klientëve të tjerë në lokal.

Ngjarja në fjalë ndodhi mbrëmjen e së premtes. Pasi hapi zjarr në drejtim të lokalit në pronësi të Nikolin Dushajt, 31-vjeçar u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u kapur nga policia këtë të shtunë.

Mbi Kronin rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”./tvklan.al