Në 1979  në listën e trashëgimisë botërore do të përfshihej liqeni i Ohrit, por vetëm pjesa në Maqedoninë e Veriut. Pas 40 vitesh nën mbrojtjen e UNESCO-s vihet edhe pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit.

Dosja e përgatitur nga dy ministritë, ajo e Kulturës dhe Turizmit e Mjedisit, në bashkëpunim me ekspertë, është shumë më e gjerë se vetëm pjesa veriperëndimore e liqenit. Ajo përfshin gadishullin e vogël të Linit dhe shiritin e tokës përgjatë bregut që lidh gadishullin me kufirin e Maqedonisë së Veriut.

Në brendësi të gadishullit të Linit ndodhen edhe të dhëna arkeologjike, siç janë gjurmët e një kishe të krishterë që i përket mesit të shekullit të VI.

Në ujërat e cekëta në afërsi të bregut të liqenit tre vende dëshmojnë për një grumbull banesash prehistorike.

Nga ekspertët e UNESCO-s vlerësohet shumë fenomeni natyror që mbart liqeni, si një strehë me lloje të shumta endemike të faunës dhe florës së ujërave të ëmbla që datojnë nga periudha terciare.

Përgatitja e dosjes që mori po-në e UNESCO-s, ishte rezultat i një pune 4 vjeçare, pjesë e projektit “Drejt një qeverisje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të Rajonit të liqenit të Ohrit”.

Nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut është kërkuar angazhim i përbashkët për ruajtjen e vlerës të cilësuar si e veçantë universale.

Tv Klan