Një 27-vjeçar i shpallur në kërkim europian nga Gjermania është arrestuar në Durrës si pjesë e një operacioni të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre gjermane. Në pranga ka rënë i riu me iniciale A.L. nga Dibra dhe banues në Durrës.

Ndalimi i tij u bë në zbatim të letër-porosisë së organeve ligjzbatuese të Gjermanisë, pasi ndaj tij është regjistruar procedimi penal në vitin 2019 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Ai akuzohet për 25 vjedhje në rajonin Bochum të Gjermanisë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal për 25 vjedhje, ku ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, bizhuteri, orë të markave të shtrenjta dhe pajisje elektronike. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën disa dokumente për transferta parash nga Gjermania në Shqipëri, orë të shtrenjta, celularë, bizhuteri si dhe u sekuestrua një automjet.

Grupi kriminal në të cilin bënte pjesë ka vepruar në periudhën 2015-2018 në dhjetë rajone të Gjermanisë, ku kryenin grabitje të ndryshme. 27-vjeçari me iniciale A.L. ka qenë i dënuar më parë për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave. Si pjesë e këtij grupi kriminal, në muajin Tetor 2018 u identifikua dhe arrestua një person tjetër me iniciale G.Sh.

/tvklan.al