Partitë shqiptare synojnë të përfaqësohen me 2 deputetë

As pandemia nuk i frenoi këtë të dielë qytetarët e Malit të Zi që t’i drejtoheshin masivisht 1200 qendrave të votimit për të zgjedhur qeverinë e re. Deri në orën 17:00 pjesëmarrja arriti në 68%, një mobilizim ky që tejkalon thuajse me 9% zgjedhjet e 2016.

Shqiptarët e Malit të Zi shpresojnë se do të përfaqësohen me 2 kandidatë në parlamentin 81 vendësh. Edhe pse për ta, shqiptarët duhet të perfaqësoheshin më një liste të përbashkët e jo 2 koalicione.

“Gjithçka shumë mirë, presim të perfaqësohemi me 2 mandate”.

“Ne prisnim të ishtë një kolonë e përbashkët për të gjithë shqiptarët. Të merrnim 3 mandate”.

Në komunën e Tuzit pjesëmarrja ka arritur mbi 50% ndersa në Ulqin mbi 40%. Politikani amerikan me origjinë nga Ulqini, Mark Gjonaj, shprehet se është vendimtare pjesëmarrja e elektoratit vendas pasi diaspora që ka një peshë të konsiderueshme është penalizuar nga pandemia.

Kandidatët shqiptare për deputetë, Nik Gjeloshaj dhe Genc Nimanbegu, thanë se fokusi i shqiptarëve në arenën politike do të jetë rritja e investimeve në zonat shqiptare. Ndërsa bashkëpunimi do të jetë me ata që mbështesin më së shumti programin shqiptar si dhe perspektivën europiane.

Për analistët shqiptarë, ligji i zgjedhjeve në Mal të Zi është diskriminues pasi shqiptarët duhet të votojnë në masën 60% për një subjekt politik që të kalojnë pragun prej 5%. Detyrë kryesore e deputetëve fitues mbetet angazhimi për të rritur investimet ekonomike në zonat shqiptare për të frenuar emigracionin.

Tv Klan