Pjesëmarrje e lartë në zgjedhjet e parakohshme në Britani

Pjesëmarrje e lartë në zgjedhjet e parakohshme në Britani

20:23 12/12/2019

Konservatorët kryesojnë në sondazhe

Pjesëmarrje tepër e lartë në zgjedhjet e parakohshme të kësaj të enjteje në Britaninë e Madhe dhe kjo duket qartë në këto radhë të gjata të njerëzve që presin për të votuar para qendrave të votimit në gjithë vendin.

Dalje e tillë në votime nuk ishte parë prej 20 vitesh, siç shkruajnë mediat britanike, në komentet e të cilave theksohet se kjo mund t’i shkaktojë probleme nxitësit të këtyre zgjedhjeve, kryeministrit konservator Boris Johnson në arritjen e shumicës së nevojshme parlamentare për të formuar i vetëm qeverinë, për të garantuar shkëputjen përfundimtare të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

E përditshmja DailyMail shkruan se pjesëmarrja e lartë ndihmon kauzën e qëndrimit në BE, që edhe pse jo zyrtarisht mbështetet nga partitë opozitare, laburistët dhe liberaldemokratët.

Sondazhet nxjerrin në krye konservatorët me 44%, që megjithatë pritet të mos e arrijë shumicën prej 325 deputetësh për të formuar i vetëm qeverinë. Analistët janë skeptikë se këto zgjedhje do t’i japin fund paqartësive për BREXIT-in.

“Ne do të vazhdojmë ta kemi të pamundur të dimë nëse do të jemi brenda apo jashtë BE-së, por kjo paqartësi po ashtu nuk është zgjidhje”.

“Disa nga studimet kanë treguar se zgjidhja e kësaj situate do të varet nga 40 mijë vota. Por imagjinoni një vend me 50 milionë votues, që të varet nga një diferencë kaq e ngushtë, pra jemi në fije të perit”.

Kutitë e votimit u hapën në 7 të mëngjesit dhe pritët të mbyllen pas orës 22 me orën lokale.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi