Me disa parregullsi është shoqëruar procesi i jashtëzakonshëm zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës. Vëzhguesit kanë vërejtur se gjatë procesit të votimit janë lejuar disa qytetarë serbë të votojnë me dokumentacion të Serbisë.

Ndërkohë të regjistruar për votim janë vetëm qytetarët të cilët zotërojnë dokumente të Kosovës.

Në pjesën veriore të Kosovës shumë qytetarë serbë deri vonë kanë refuzuar të pajisen me dokumente të Kosovës, pasi kishin vetëm ato të Serbisë.

Njohjen prej tyre të shtetit të Serbisë më shumë se atij të Kosovës e tregon edhe fakti se në qendrën më të madhe të votimit në Mitrovicën e veriut ishte vendosur flamuri serb.

Ndërsa tre kandidatët që kanë garuar për zgjedhjet në Mitrovicën e veriut  kanë votuar që në orët e hershme të mëngjesit.

Goran Rakiq, Lista Serbe: “Kemi kryer obligimin tonë si qytetarë siç e shihni vetë, qytetarët e Mitrovicës e kanë kuptuar seriozisht rëndësinë jo vetëm të këtyre zgjedhjeve lokale, por të referendumit, i cili për ne që jetojmë këtu do thotë ekzistencë në këto hapësira”.

Parregullsitë më të shpeshta ishin identifikimi i votuesve dhe votimi me dokumente të Serbisë që në disa raste është lejuar nga komisionerët.

Pjesëmarrja deri në orën 11 të paradites ishte e ulët rreth 15 %

Votimet po mbahen në Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore. Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqjen për shkak të taksës 100% për importet serbe e boshnjake.

Për herë të parë kandidatët nga komuniteti serb vijnë vetëm nga Lisita Serbe. Kjo pasi dy forcat e tjera, Partia qytetare serbe dhe partia liberale serbe, vendosën të mos futen në zgjedhje.

Tv Klan