Opinion-Një nga figurat e rëndësishme të Partisë Demokratike, Pjetër Arbnori ishte i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Dorëheqja e tij nga forumet e larta drejtuese të PD qe një nga temat më të diskutuara në vitin 2001, ndaj edhe Arbnori, në intervistën e realizuar më 08 Nëntor të po atij viti foli pikërisht për to.

Ai tha se ka qenë shumë i ngarkuar në drejtime të ndryshme me përgjegjësi dhe detyra në Partinë Demokratike dhe kjo ka qenë arsyeja e vetme që e ka bërë të heqë dorë në mënyrë që puna të mos dalë e “çalë”, siç e quan Arbnori.

“Sigurisht që ka shkaqe, por kur shikohen për t’u gjetur shkaqet e pranishme kurrë nuk dalin. Unë i kam thënë arsyet e mia dhe ato qëndrojnë. Unë kam qenë shumë i ngarkuar në drejtime të ndryshme me përgjegjësi dhe detyra në Partinë Demokratike, por duke dashur t’i kryej detyrat mirë kam vënë re që është më mirë të lehtësoheshe, se sa të mbaje një mori përgjegjësish dhe puna të dilte çalamane. Ka edhe shkaqe të tjera, por unë kam menduar se duke dhënë dorëheqjen pa hequr dorë nga PD dhe anëtarësia në Këshillin Kombëtar, unë do krijoja një mundësi për një frymëmarrje të re në PD. Dhe kjo nuk është gjë e keqe. Këtë e kisha menduar disa kohë më parë dhe më datë 2 Gusht, unë i paraqita një letër kryetarit të partisë, Sali Berisha. Berisha më thirri në zyrën e tij dhe nuk ma pranoi dorëheqjen me terma dashamirëse. Më tha që duhet të përpiqesh ta bësh detyrën dhe shkallë-shkallë, të heqim disa detyra”.

“Zgjedhjet e 24 Qershorit ne nuk i kemi fituar, por ndershmërisht nuk i kemi humbur. Gjendja është e tillë ku forcat janë thuajse të barabarta. Fitorja mund të ishte arritur nëse do të ishin zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Ne duhet të kuptojmë rrethanat e reja që janë krijuar, por duhet të krijojmë edhe rrugë të reja në mënyrë që fitorja e demokracisë të jetë jo e largët dhe njerëzit të krijojnë shpresë. Liria kryesore në demokraci është vota e lirë, ne të gjithë duhet të përpiqemi për këtë”,tha Arbnori.