Balla: Askush mbi ligjin, e pavërtetë që Rama është informuar

Menjëherë pas publikimit të dokumenteve të Kuesturës së Fierences nga Partia Demokratike, ka ardhur edhe reagimi i kryebashkiakut të ri të Shkodrës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Valdrin Pjetri mohon të jetë dënuar me 18 muaj burg e 1 mijë Euro gjobë për trafik të lëndëve narkotike, duke thënë se dy certifikatat e publikuara pak ditë më parë prej tij janë e vetmja e vërtetë lidhur me akuzat që vijnë nga selia blu.

“Unë të vërtetën time e deklarova para kandidimit si dhe para pak ditësh me dokumenta zyrtare.E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjensive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD. Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteve zyrtare shqiptare dhe italiane”.

Edhe selia rozë reagoi përmes Sekretarit të Përgjthshëm. Taulant Balla, teksa i cilësoi pretendime të bazuara në dokumente joligjore akuzat e opozitës, tha se Partia Socialiste do të qëndrojë në anën e ligjit dhe të interesit publik.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe ligji është mbi çdo invidid dhe interes politik. ky rast konkret është një nga ato raste, kur politika duhet t’i referohet vetëm ligjit. E vërteta mbi këtë rast, s’mund të zgjidhet sipas preferencës apo interesit politik. Ajo duhet të zbardhet deri në fund përmes rrugës së përcaktuar qartësisht në ligj”.

Balla e cilësoi shpifje deklaratën e bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve se dokumentet për Valdrin Pjetrin i ishin vënë Kryeministrit nga burime diplomatike, duke paralajmëruar një padi penale.

“Hedhim poshtë me neveri akuzat lidhur me ndonjë marrje në dijeni, nga burime të ashtuquajtura “diplomatike” apo të çfarëdolloji tjetër, mbi pretendimin e Partisë Demokratike. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe do t’i referohet gjykatës, në formën e padisë njësoj si për shpifje të tjera”.

Balla thotë se Partia Socaliste nuk do të përfshihet në asnjë debat, përpara se sa institucionet ligjzbatuse të thonë fjalën e tyre lidhur me akuzat që vijnë nga selia blu.

Tv Klan