Pjetri në sitën e Dekriminalizimit

Pjetri në sitën e Dekriminalizimit

15:47 14/08/2019

Shkarkohet nëse akuzat rezultojnë të vërteta

Rasti i Valdrin Pjetrit, kryetarit të votuar të Bashkisë së Shkodrës, që nëse rezultojnë të vërteta dokumentet e paraqitura dje nga selia blu ku ai akuzohet se ka qenë i ndaluar madje dhe i dënuar për trafik droge në Itali rreth 20 vjet më parë, do të rezultojë viktima e fundit e ligjit të Dekrimanilizimit.

Pjetri, një i ri i cili në administratën e lartë shtetërore ka hyrë më herët se e majta të vijë në pushtet, për ata të cilët kanë punuar me të, kishte tiparet e njeriut më korrekt të mundshëm, shumë larg atij që vizatohet nga letrat e paraqitura dje nga Partia Demokratike, pavarësisht se gjithsesi krimi edhe nëse ka ndodhur, është kryer në rininë e hershme të tij.

Por kjo nuk ka rëndësi. Ai sot është në duart e drejtësisë që do të verifikojë gjithçka dhe nëse rezultojnë të vërteta akuzat se në moshën 18-vjeçare ai është përfshirë në trafik droge, ai do të shkarkohet me ceremoni nga detyra që akoma nuk e ka marrë zyrtarisht.

Distancimi i parë nga partia qe e kandidoi erdhi dje, ku kreu i PS Rama deklaroi se mes Pjetrit dhe PS-së, nuk ka lidhje deri në sqarimin e situatës. Ajo çka është më e rëndësishme se një emër zyrtari që bie, është fakti që ligji i Dekriminalizimit është arritja më e madhe për pastrimin e administratës nga njerëz të cilët kanë kryer krime, edhe përtej periudhës 10-vjeçare, kur dëshmia e penalitetit pastrohet ligjërisht.

Ky ligj unikal duket se do të jetë mburoja e fundit e emërimeve apo zgjedhjeve në administratën shtetërore në mungesën e një morali individual nga personat të cilët ja dinë të vërtetën vetes, por që gjithsesi guxojnë ta sfidojnë atë.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT