Legjenda e operas Placido Domingo është akuzuar për ngacmim seksual të disa grave, përgjatë tre dekadave. Tetë këngëtare dhe një kërcimtare, pretendojnë se ishin ngacmuar seksualisht nga tenori spanjoll, nga fundi i viteve 80-ë, raporton Associated Press. Vetëm njëra nga gratë, mezo-sopranoja, Patricia Wulf, pranoi të identifikohet.

Domingo i quajti akuzat të pasakta duke i mohuar. “Është e dhimbshme të dëgjosh që unë mund të kem ngacmuar ose t’i kam bërë ato të ndihen keq”, ka thënë ai në një deklaratë.

“Njerëzit që më njohin, ose që kanë punuar me mua, e dinë se unë nuk jam dikush që me dashje do të dëmtoja, ofendoja ose shqetësoja dikë”, ka deklaruar Domingo.

Gjashtë gra të tjera gjithashtu pretendojnë se tenori i bëri ato të ndjehen pakëndshëm, duke bërë “oferta seksuale” ndaj tyre, raporton AP.

Zonja Wulf tha që ai nuk e ka prekur atë fizikisht, por i afrohej asaj sa herë që dilte nga skena dhe pyeste nëse ajo do të shkonte në shtëpi.

Një grua tjetër tha që Domingo i vuri dorën poshtë fustanit të saj. Tri gra të tjera thanë se ai i puthi me forcë. Incidentet thuhet se kanë ndodhur në ambiente të ndryshme, përfshirë dhomën e zhveshjes, një dhomë hoteli, gjatë një takimi dhe në ambientet e operës ku Domingo mbante poste menaxheriale.

Domingo shtoi në deklaratën e tij: “Unë e pranoj se rregullat dhe standardet me të cilat jetojmë sot janw shumw ndryshe nga e kaluara. Jam i bekuar dhe i privilegjuar që kam pasur një karrierë më shumë se 50-vjeçare në opera dhe do ta mbaj standardet më të larta”.

Domingo, 78 vjeç, mbetet një nga yjet më të mëdhenj të operës. Ai është i martuar me gruan e tij të dytë, sopranonon Marta Ornelas, që nga viti 1962.

Ai performon rregullisht në Londër, së fundmi në Janar në prodhimin e La Traviata të Royal Opera House. Ai do të kthehet në kopshtin Covent, Londër në Qershor të vitit 2020./tvklan.al