Emisioni “STOP” i rikthehet problemit të plagjiaturës së pedagoges së Universitetit të Sporteve, Mimoza Tare. Rektori Agron Cuka kërkon që gazetarja t’i dorëzojë të gjitha dokumentet, që ai dhe zyrtarët të kenë mundësi t’i verifikojnë. Pas kryerjes së kësaj proçedure, emisionit “STOP” i vjen dhe përgjigja zyrtare, e denjë për filmat fanta-shkencë, pranë departamentit nuk ekziston një kopje e tezës në fjalë, ndaj komisioni nuk dha dot vlerësim të qartë për elementet e plagjiaturës dhe e ka të vështirë të dalë me një konkluzion. Ndërsa vetë zonja Tare kishte thënë se materiali i servirur nga emisioni, nuk kishte të bënte me të…?!

Rektori – Ju që padisni, më bini materialet. Këtë gjë i thashë edhe atij Beqirit (Shefi i Departamentit të Sportit në UT) që ka sjellë letrën, fola gojarisht me të. Më sill materialet mbi ç’bazë e bënë këtë padi po e quajmë? Bukur! Jo tha, unë kam parë STOPIN. Tashi ju më erdhët ditën e parë, i kishit dy materiale këtu dhe thatë këto dy materialet janë 100% njësoj dhe ia keni çuar Universitetit të Tiranës, po bjeri pra këtu.

Gazetarja – Besoj se në arkivat tuaja ndodhen, e kupton? Ju keni të drejtën e hetimit, në thonjëza. Unë kam sjellë një ankesë. Kam ardhur për të pyetur se çfarë është bërë.

Rektori – Ku e ke ankesën?

Gazetarja – Si ku e kam ankesën?

Rektori – S’më ke sjellë asnjë ankesë!

Gazetarja – Më fal! Gjatë kohës që jemi takuar ne, çfarë kemi bërë?

Rektori – Kemi biseduar.

Gazetarja – Kemi biseduar?! Aaa d.m.th ju s’e paskeni marrë të mirëqenë ankesën që ka bërë emisionit “STOP”?

Rektori – S’është ankesë ajo. Ku e ke ankesën?

Gazetarja – Si nuk është ankesë ajo?!

Rektori – Më sill një ankesë me shkrim! Më dorëzo dhe materialin, t’i fusim në protokoll edhe unë veproj.

Gazetarja – Ok mirë, faleminderit!

Gazetarja e emisionit “STOP” i është drejtuar Univeristetit të Sportit, pasi edhe pse rektori premtoi një reagim për sa i përket plagjiaturës që kishte bërë Mimoza Tare në punimin e mikrotezës së masterit, pas shumë kohësh kërkoi një shkresë zyrtare për kërë ankesë. Ndaj më datë 31.03.2017 gazetarja e dorëzoi këtë shkresë, së bashku me punimin e Jetmir Osmanit dhe pedagoges Mimoza Tare për të traguar se janë të njëjtat punime.

Përgjigjia nga Universiteti i Sporteve për këtë ankese u kthye më datë 19.04.2017, ku thuhet se komisioni ka përmbledhur mendimet lakonike të vlerësimit të atëhershëm.

Kryetari i komisionit, Dhimitraq Stratobërdha thotë se i duket e habitshme pasi nuk e zbulon dot plagjiaturën e pretenduar sepse institucioni nuk i ka mjetet logjistike për ta provuar atë, udhëheqësi shkencor, Mehmet Spahiu thotë se i duket absurde si çështje dhe se nuk e kanë të drejtën për të ruajtur temat dhe mikrotezat, anëtari i komisionit, Adriatik Meta shprehu habinë dhe dakordësinë që të vazhdojnë proçedurat për verifikimin e këtij problemi,  ndërsa anëtari tjetër i komisionit, Sejfulla Shtëpani ka dalë në pension por është në dijeni të problemit.

Komisioni ka thërritur edhe studenten e mikrotezës, Mimoza Taren, e cila shprehet se materiali i paraqitur nga emisioni “STOP” nuk është punimi i saj.

Por një komision i përbërë nga katër profesorë nuk mund të japë një përgjigje të tillë… Si ka mundësi që nuk paskan mikrotezat e ruajtura dhe mjetet logjistike për të provuar se mikroteza e Mimoza Tares është e njëjtë me atë të Jetmir Osmanit?!/tvklan.al