Enis Sanxhaku dhe Noa Mato u qëlluan nga një makinë në ecje

Dy të rinj kanë mbetur të plagosur pas një konflikti me armë zjarri në kryeqytet. Ngjarja ndodhi në orët e para të së premtes në mbikalimin e Qafë-Kasharit, ndërsa dy të rinjtë e identifikuar si Enis Sanxhaku 20 vjeç dhe Noa Mato 19 vjeç ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Burime pranë bluve të kryeqytetit bëjnë të ditur se Sanxhaku dhe Mato po ktheheshin nga një ndeshje futbolli me këtë makinë duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë.

Sipas dëshmive që ata kanë dhënë për policinë mësohet se në një moment ata i kanë prerë rrugën një tjetër makine, çka është bërë shkak për një konflikt mes tyre, i cili ka agravuar deri në përdorimin e armës.

Të rinjtë e plagosur kanë treguar se në ecje e sipër ata janë qëlluar nga personat që gjendeshin në makinën tjetër dhe për pasojë kanë marrë disa plagë, por fatmirësisht pa rrezikuar jetën. Shenjat e plumbave gjenden edhe në automjetin e tyre.

Sanxhaku dhe Mato kanë shkuar vetë në spital dhe policia bën me dije se po kryhen hetime dhe kontrolle për të zbuluar autorët dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë. Për këtë janë duke u këqyrur kamerat e sigurisë në zonën përreth.

Tv Klan