Shkak, një sipërfaqe toke që pretendohet nga të dyja familjet

Dy vëllezër nga Fshati i Ri i Shkodrës kanë mbetur të plagosur pas një konflikti me një bashkëfshatarin e tyre për çështje pronësie. 

Ngjarja ndodhi rreth orës 9 e 15 minuta të paradites së të mërkurës, teksa dy vëllezërit  Lad dhe Ilir Gruda janë përfshirë në një përplasje fizike me Xhevahir Fikajn, e që përfundoi në përdorimin e armës nga ky i fundit.

Burime nga blutë e Shkodrës bëjnë të ditur se shkak për ngjarjen është bërë kjo sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj dhe që është blerë më herët nga Xhevahir Fikaj.

Por dy vëllezërit Gruda pretendojnë se toka është e tyre dhe jo e personit që ja ka shitur Xhevairit, ndaj dhe kanë nisur të bëjnë rrethimin e saj.

Kjo ka bërë që Xhevair Fikaj të shkojë mëngjesin e sotëm për sqarime me dy vëllezërit, por situata ka dalë jashtë kontrollit dhe palët kanë kaluar fillimisht në një konfrontim fizik, si pasojë e të cilit ku ka mbetur i plagosur 34 vjeçari, Lad Gruda. Më pas konflikti është përshkallëzuar edhe më tej dhe mësohet se Xhevair Fikaj ka nxjerrë edhe armën duke plagosur edhe vëllanë tjetër Ilir Grudën, 41 vjeç.

Të dy të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës ku dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia me mbërritjen në vendin e ngjarjes bëri rrethimin e zonës dhe nisi kontrollet për kapjen e autorit, ndërkohë që grupi hetimor nisi punën për grumbullimin e provave për dokumentimin dhe zbardhjen e ngjarjes.

Tv Klan