Gerald, Arjan e Marjus Marini do qëndrojnë në qeli edhe për sherrin me komshinjtë

Gjykata e Beratit ka caktuar burg pa afat për dy vëllezërit Marini, ndërsa me afat 30 ditor për vëllanë tjetër, të cilët akuzohen për plagosjen e efektivit të policisë Julian Xhahalili.

Ngjarja në fjalë u regjistrua mbrëmjen e të mërkurës, ku Gerald, Arjan e Marjus Marini u përfshinë në konflikt me komshinjtë e tyre Albert Memaj dhe bashkëshorten e tij, të cilët mbetën të lënduar me gurë.

Vëllezërit Marini kanë deklaruar në sallën e gjyqit se konflikti mes dy familjeve ka ndodhur për shkak të një veprimi të turpshëm që Albert Memaj ka kryer ndaj një prej familjarëve të tyre.

Avokatja e vëllezërve Marini, ka deklaruar se klientët e saj nuk kanë kryer asnjë veprim me dashje për të plagosur efektivët e policisë. Ajo pretendoi në sallën e gjyqit, se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë kundërshtimin e punonjësit të policisë së shtetit apo plagosjen e efektivit.

Gjithashtu pala mbrojtëse ka ngritur pretendimet se policia ka dhunuar banesën e familjes Marini, në të cilën ka hyrë me forcë dhe pa asnjë urdhër ndalimi të ligjshëm nga prokuroria.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, ku mbeti i plagosur efektivi 20-vjeçar, Julian Xhahalili, i cili ndërhyri për të qetësuar situatën.

Tre vëllezërit e arrestuar së bashku me vëllanë e katërt Armando Marini, i cili ndodhet në kërkim tentuan t’i merrnin armën dhe gjatë konfrontimit, arma i’u shkrep në brez, duke bërë që polici të marrë një plumb në këmbë. Polici ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Klan News