Një 35-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri këtë të premte në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30,  te “Varri i Bamit”. Sipas policisë, 35-vjeçari Gentjan Nokaj u plagos me armë gjahu nga 30-vjeçari Dritan Kulla, dyshohet gjatë një konflikti për motive të dobëta. I plagosuri u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia po punon për kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, ditën e sotme, pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur Varri i Bamit, një shtetas ka plagosur me armë gjahu shtetasin Gentjan Nokaj rreth 35 vjeç, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë identifikimi i autorit të ngjarjes, shtetasit Dritan Kulla, 30 vjeç, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta, ditën e sotme, rreth orës 13:30, ka plagosur me armë gjahu shtetasin Gentjan Nokaj.

Gentjan Nokaj ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në një njoftim të policisë së Tiranës./tvklan.al