Një sulm me armë zjarri tronditi Lushnjen mbrëmjen e së shtunës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Plugut, në lokalin në pronësi të Saimir Taullaut i cili mbeti i plagosur nga plumbat. Sipas të dhënave nga policia lokale mësohet se 47-vjeçari ka marrë një plagë të lehtë në kokë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të qytetit.

Nuk dihet numri i autorëve të cilët kanë qëlluar nga jashtë lokalit. Siç duket edhe në këto pamje, në xhama numërohen të paktën 3 shenja plumbash. Në hyrje dhe në dalje të qytetit u ngritën menjëherë pika të shumta kontrolli nga Policia e Shtetit, me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar.

Saimir Taullau është një emër i njohur për Policinë e Shtetit. Në Korrik të vitit 2005, 47-vjeçarit iu vra vëllai në një atentat në qendër të qytetit të Lushnjes.

Për këtë ngjarje ai akuzoi një grup tjetër kriminal në këtë qytet. Në 2015-ën Taullau u arrestua për trafikim të lëndëve narkotike. Emri i tij është përmendur edhe në disa ngjarje të tjera të rënda të ndodhura në Lushnje vitet e fundit.

Tv Klan