Policia arreston autorin

Një konflikt për motive të dobëta u bë shkak për një plagosje me armë zjarri këtë të mërkurë në Tiranë. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në Tufinë. I plagosur nga kjo ngjarje mbeti Denis Kuka, ndërsa autor i dyshuar i plagosjes është Robert Doka. 42-vjeçari u arrestua menjëherë pas ngjarjes nga efektivët e policisë.

Sa i takon të plagosurit Kuka, plumbi mësohet se e preku në këmbë. Ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, autoritetet policore thonë se vijojnë punë për të sqaruar rrethana te ngjarjes në fjalë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në Tufinë, Robert Doka 42 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kishte plagosur në këmbë, me armë zjarri, Denis Kukën, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit të dyshuar. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, brenda një kohe rekord, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë kapur dhe shoqëruar në komisariat, Robert Dokën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar e përdorur nga ky shtetas. Denis Kuka aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Vijon puna nga grupi hetimor, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat./tvklan.al