Policia e Tiranës ka sqaruar ngjarjen që ndodhi pas mesnate në Tiranë, ku një 28-vjeçar u dërgua i lënduar me armë zjarri në spital.
Uniformat blu thonë se Kristjan Kaçorri dyshohet se është vetëplagosur aksidentalisht me një armë zjarri që e mbante pa leje. Ngjarja është regjistruar në ambientet e një lokali në komunën e Parisit.
Policia bën me dije se i riu është jashtë rrezikut për jetën. Pavarësisht plagës, Kaçorri është vënë në pranga për faktin që mbante armën pa leje.
Ndërkohë dy shokë të tij, 33-vjeçari Airold Cami dhe një 41-vjeçar me iniciale E.E kanë fshehur armën e zjarrit dhe gëzhojën në një ambient jashtë lokalit.
Cami është vënë në pranga, ndërsa tjetër u shpall në kërkim. I arrestuar përfundoi edhe një 30-vjeçar, kamarieri i lokalit, pasi ka fshirë vendin e ngjarjes.
Policia vijon hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje./tvklan.al