U sulmuan nga një ish-punonjës, arrestohet autori

Kreu i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi dhe shoferi i tij, Gazmend Bullari u plagosën pas një sulmi me thikë. Autori është Orges Xhelili, një ish-punonjës i bashkisë që shihni në këtë foto. Ngjarja ndodhi rreth orës 9:00 të mëngjesit pranë një banese në ndërtim në afërsi të Bashkisë së Divjakës, aty ku shenjat e ngjarjes së rëndë ishin të dukshme deri në mesditë.

Autori e ka pritur kryebashkiakun dhe fillimisht ka nisur ta ofendojë. Më pas ka nxjerrë thikën duke e qëlluar atë dy herë në brinjë dhe në shpatull. Në mbrojtje të Kokoneshit ka shkuar shoferi, i cili gjithashtu është goditur me thikë, duke marrë disa plagë në pjesën e barkut. Të plagosurit u dërguan fillimisht në ambulancën e Divjakës dhe pastaj në Spitalin e Lushnjës.

Në foto: Orges Xhelili

Për të marrë një trajtim më të specializuar për shkak se thika i ka prekur mushkërinë, kreu i Bashkisë së Divjakës u dërgua më pas në spitalin e Traumës në kryeqytet. Por mjekët thonë se të dy janë jashtë rrezikut për jetën.

Sami Osmani, mjek kirurg i Spitalit të Lushnjes: Janë jashtë rrezikut për jetën.

Autori i sulmit u arrestua pak pas ngjarjes nga policia dhe pritet marrja e tij në pyetje. Drejtori i Policisë së Fierit Alfred Çepe dhe prokurori i Lushnjës, Elion Mustafa thanë se po hetohet për motivet e ngjarjes.

Alfred Çepe: Është plagosur me mjet prerës thikë kryetari i bashkisë Fredi Kokoneshi dhe drejtuesi i mjetit të tij, Gazmend Bullari. Nga ana jonë do të punohet për të sqaruar të gjitha rrethanat.

Elion Mustafa: Janë kryer veprimet e para hetimore. Ngjarja po ndiqet në dinamikë.

Burimet thanë se shkak për plagosjen u bë një konflikt për motive të dobëta.

Tv Klan