Një 28 – vjeçar nga Vlora mbeti i plagosur rëndë si pasojë e një atentati të dytë brenda 4 muajsh. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:50 të mbrëmjes së të enjtes, në lagjen “Isa Boletini” pranë vendit të quajtur “Kali i Trojës”.

Persona të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar me armë në drejtim të Arlind Lulushit, i cili punonte si bodyguard në një pikë bastesh në lagjen Isa Boletini.

Në vendngjarje policia gjeti disa gëzhoja, ndërsa nuk dihen motivet e plagosjes së të riut Lulushi. Po në këtë zonë, 28 – vjeçari,  Lulushi mundi të shpëtonte nga një atentat me armë më 3 Nëntor, ku fatmirësisht nuk u shënuan viktima. Për këtë ngjarje policia arrestoi autorin Klodjan Pashaj dhe shpalli në kërkim një tjetër person, si bashkëpunëtor në ngjarje.

28 – vjeçari Arlind Lulushi nuk është një emër i panjohur për blutë e Vlorës. Ai ka qenë i arrestuar nga policia, si bashkëpunëtor i kushëririt të tij Ervis Lulushi, i cili vrau dy persona në zonën e Ujit të Ftohtë. Më 1 Janar të 2015, Ervis Alushi vrau me armë zjarri 21 – vjeçaren Paola Bisha dhe kushëririn e saj 28 – vjeçar, Parid Velaj.

Tv Klan