Policia identifikon autorin e dyshuar të ngjarjes

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar pasditen e sotme në Shkodër. Për pasojë një 38-vjeçar ka mbetur i plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e quajtur “Prek Cali.” I plagosuri, Tonin Larushku, nga fshati Toplanë i Vaut të Dejës është plagosur pas një konflikti që ka pasur me një person tjetër.

Ky i fundit është identifikuar nga autoritetet dhe është një 29-vjeçar me emrin Luverdo Kola. Policia në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë punën për kapjen e autorit.

Në të njëjtën zonë ku ndodhi plagosja është kapur dhe shoqëruar një person që dyshohet se ka dijeni për ngjarjen.

Sa i përket të plagosurit, ai ndodhet në spital ku po merr ndihmë mjekësore. Megjithatë në njoftimin e policisë lëshuar për mediat nuk sqarohet nëse gjendja e tij është e rëndë apo jo.

Policia po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje./tvklan.al