42-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën

Pronari i një banese në zonën e plazhit në Durrës, ka mbetur i plagosur gjatë tentativës së grabitjes.

Xhelal Terziu ka dëgjuar zhurmë dhe ka dalë menjëherë në oborr për të parë se ç’po ndodh.

Në këto moment është përballur me hajdutin, i cili ka qenë i maskuar dhe i armatosur.

Ai ka qëlluar dy herë, një në ajër dhe plumbi tjetër e ka goditur në këmbën e djathtë. Pasi e ka plagosur 42-vjeçarin, është larguar nëpër rrugica duke mos realizuar planin e grabitjes.

I zoti i shtëpisë është dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se mes tij dhe grabitësit nuk ka pasur konfrontime fizike.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjare dhe ka kryer krehjen e zonës për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit. I plagosuri Xhelal Terziu punonte prej kohësh në ndërtim.

Tv Klan