Gjykata e Tiranës ka lënë në burg agresorin 34-vjeçar Rudolf Nikolli, i cili plagosi me thikë 5 persona në xhaminë “Dine Hoxha” në kryeqytet.

Klan News mëson se familjarët i kanë dorëzuar prokurorisë kartën mjekësore ku thuhet se 34-vjeçari vuan nga çregullime mendore.

34-vjeçari është marrë në pyetje nga hetuesit, por nuk i ka ndihmuar për të mësuar shkaqet që e çuan për hyrë në xhami dhe për të lënduar besimtarët.

Të vetmet fjalë që Nikolli ka thënë kanë qenë pretendimet se kohët e fundit shikonte ëndrra dhe njerëz që e përndiqnin dhe e ofendonin.

Pesë personat e plagosur nga 34-vjeçari, pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, kanë lënë ambientet spitalore dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër xhamia e cila ra pre e sulmit, i është kthyer normalitetit për kryerjen e riteve fetare.

Klan News